TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Në mjediset e Fakultetit të Shkencave të Natyrës ka nisur shkolla ndërkombëtare verore e matematikës.
Shkolla organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës i Universitetit të Tiranës dhe Qendra Ndërkombëtare e Matematikës së Pastër dhe të Aplikuar (Centre International de Mathématiques Pures et Appliquées CIMPA.
Shkolla është një iniciativë e prof. Fioralba Cakonit (Universiteti Rutgers), dr. Aida Maraj (Universiteti i Miçiganit) dhe dr. Mirjeta Pasha (Universiteti Tufts).
Në ceremoninë e hapjes së kësaj shkolle morën pjesë kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi, kryetari i Seksionit të shkencave natyrore dhe teknike akad. Neki Frashëri, dekani i FSHN-së prof. dr. Spiro Drushku, prof. Ferdinand Bego, zv.dekan i FSHN-së, pedagogë të departamenteve të matematikës dhe matematikës së aplikuar të FSHN-së, lektorët dhe studentët e shkollës.
“Ky aktivitet do të ofrojë mundësi për pjesëmarrësit të shkëmbejnë përvoja, ide dhe aplikime të reja dhe të gjejnë partnerë të mundshëm për aktivitetet e ardhshme shkencore”, tha në fjalën e saj prof. Eglantina Xhaja, zv/dekane e FSHN.
Në emër të Akademisë së Shkencave përshëndeti prof. Fatmir Hoxha, kryetar i komisionit të matematikës dhe informatikës.
“Një nga synimet e Akademisë është përgatitja e studiuesve të rinj shkencorë, prandaj ky aktivitet mirëpritet dhe mbështetet nga Akademia e Shkencave. Do të mbështesim edhe aktivitete të tjera të kësaj natyre për matematikën dhe shkencat kompjuterike”, tha në fjalën e tij përshëndetëse prof. Hoxha.
Në ceremoninë e hapjes ishte e pranishme edhe zv.kryetarja e bashkisë së Tiranës Keti Luarasi e cila pasi falënderoi organizatorët, theksoi rëndësinë e shkollës dhe veprimtarive të tjera të kësaj natyre që i japin akoma më tepër vlera Tiranës si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022.
Shkolla verore e matematikës është një iniciativë praktike intensive dyjavore mbi një sërë temash selektive bashkëkohore matematikore dhe llogaritëse në analizën e të dhënave dhe imazherinë. Ajo synon të bashkojë studiues me ekspertizë të larmishme dhe të gjerë nga matematika e pastër dhe e aplikuar e lidhur përmes temës së analizës së të dhënave.
Shkolla do të mbulojë përdorimin e softuerit matematikor përkatës për matematikën e pastër dhe të aplikuar, tema nga problemet e anasjella duke përfshirë shpërndarjen inverse, tomografinë me rreze X si dhe algjebrën dhe gjeometrinë konvekse për analizën e të dhënave dhe zbulimin e modeleve të drejtuara nga të dhënat për sistemet dinamike.
/r.e/















