TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Në kuadër të Muajit të Kinematografisë, ministrja e Kulturës Elva Margariti ka përzgjedhur nga fondi i Kinostudios “Shqipëria e Re”, filmin “Njeriu i mirë”, prodhim i vitit 1982.
“Njeriu i mirë”, me regji të dy regjisorëve Ibrahim Muçaj e Kristaq Mitro, ka në qendër të tij konfliktin mes 3 personazheve kryesorë: Verës, Telos dhe Kiços.
Skenari nga Nexhati Tafa trajton linjën e dashurisë mes Verës e Telos, e cila has në kundërshtimin e vëllait të Verës, Kiços. Kur mëson për dashurinë e së motrës, Kiçoja bën çmos të minojë lidhjen mes Verës e Telos, duke dashur të bëjë një krushqi më të leverdisshme për karrierën e tij profesionale.
Protagonistë në filmin “Njeriu i mirë”, gjejmë emra me vlerë të kinematografisë shqiptare si Vangjush Furxhi, Bujar Asqeriu dhe Eva Alikaj, e cila megjithëse e re në profesion, mori vlerësime të shumta për interpretimin e saj në këtë film, duke qëndruar me dinjitet edhe përballë një aktori kalibri si Furxhi.
Muzikën e filmit “Njeriu i mirë” e ka shkruar i mirënjohuri Hajg Zaharjan.
/r.e/





















