TIRANË, 19 korrik/ATSH – I. Vata/ KQZ bashkohet me mbi 40 vende të ndryshme të globit të cilët përdorin kurrikulën ndërkombëtare BRIDGE.
Në njoftimin e KQZ-së bëhet e ditur se, 18 administratorë zgjedhorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe trajnerë të tjerë me ekspertizë në edukimin qytetar vendas dhe të huaj, përfunduan me sukses trajnimin 9-ditor dhe siguruan certifikimin e trajnuesit të akredituar BRIDGE.
Ceremonia e certifikimit u përshëndet nga drejtuesja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Jutta Gutzkoë dhe koordinatori i programit për Evropën të International IDEA, Erik Asplund.
Trajnimi BRIDGE u zbatua nga Akademia e Studimeve Politike (ASP) me mbështetjen dhe në partneritet të ngushtë me Këshillin e Evropës (Council of Europe Office in Tirana) dhe Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (International IDEA), nën drejtimin e ekspertëve të akredituar, Doina Bordeianu, Zage Filiposki dhe Corneliu Pasat.
/r.e/












