TIRANË, 8 korrik/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, njëkohësisht zv/kryetar i komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, u shpreh sot se protesta e mbrëmshme e organizuar nga Sali Berisha ishte një lajm i keq për Shqipërinë.
“Edhe se nuk ishte protestë më e madhe nga ato që orientonte Lul Basha, sërish mund të themi se protesta e mbrëmshme ishte një lajm i keq për Shqipërinë. Dëshmoi se për ‘pëdëistët’ Saliu është më i rëndësishëm se Shqipëria”, tha Koçi.
Sipas tij, “protesta dëshmoi se euroatlantizmi në PD nuk është bindje, por retorikë pragmatiste”.
“Shpenzimet e protestës vërtetuan gjithashtu se oligarkët bëjnë lojë me shumë porta”, tha Koçi.
Nga ana tjetër, ai tha se u vërtetua se standardi kulturor dhe politik i Berishës është mjaft i përhapur në shoqëri.
“Protesta dëshmon se rinovimi i vërtetë politik, ndryshimi i lidershipit politik te ne është së prapthi. Prandaj Nano iku para Berishës kur duhej të ndodhte ndryshe. Iku Luli para Berishës, kur ky i fundit duhej të ishte në pension. Ndërsa nga gjuha e analistëve kuptoj që dhuna në shoqërinë tonë është akoma pasion”, tha ai.
/m.m/j.p/r.e/













