TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, bëri sërish thirrje sot në konferencën për shtyp për pjesëmarrje masive në protestën e 7 korrikut.
“Edi Rama ka caktuar konferencë shtypi në të njëjtën orë me ne, por sytë dhe mendja e qytetarëve janë te protesta mbarëpopullore. Motivet e kësaj proteste janë të jashtëzakonshme. Kurrë ndonjëherë një orë, dy orë, tre orë të harxhuara në protestë nuk kanë pasur mision më të madh se protesta e datës 7 korrik”, tha Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët.
“Qytetarët janë të ftuar të protestojnë për ndryshimin e këtij vendi. Sot Shqipëria është vendi që rrit fëmijë për emigracion, pavarësisht potencialeve të saj të mahnitshme. Të rinjtë largohen nga ky vend njëlloj sikur të ishte në konflikt civil. Kjo për shkak të politikave të spastrimit etnik që ndjek Edi Rama”, theksoi Berisha.
“Në të gjithë takimet unë gjej një thirrje që buron nga thellësia e shpirtit të qytetarëve për t’u bashkuar në këtë protestë si sipari i një rruge që do përmbysë pushtetin autokratik të Edi Ramës dhe do vendosë demokracinë në Shqipëri”, u shpreh Berisha.
“Edi Rama ka vendosur sistemin monist të plotë, u kthye në modelin e etërve të tij. Përveç Lukashenkos, ai sot kontrollon të gjitha pushtetet. Çdo ditë që kalon në këtë gjendje është një ditë jo e mirë, jo e mbarë për të gjithë shqiptarët që besojnë te liria dhe vlerat e saj”, tha Berisha.
“Ndaj edhe thirrja ime sot është e përsëritur për qytetarët, për fermerët, për biznesmenët, për profesionistët, mjekë, inxhinierë, avoketër, arkitektë, noterët, të bashkohemi në këtë protestë për të shpëtuar Shqipërinë. Ka vetëm një rrugë të sigurt, kjo është protesta qytetare. Unë kam besim të plotë se kjo rrugë do të sjellë fitoren e merituar të popullit opozitar që kërkon vetëm pushtetin me votën e tij, të lirë”, tha Berisha.
Berisha tha se 7 korriku është vetëm fillimi. “Të garantoj dhe dije se fjala ime është fjalë. Është vetëm fillimi pasi ka tejkaluar çdo vijë të kuqe në qëndrimin cinik ndaj qytetarëve shqiptarë me qëndrimet e tij. Me faktin që firmë që lëshon ka një vjedhje”, u shpreh ai.
“E morët vesh ju, pas Butrintit i erdhi radha Pallatit të Brigadave. Që është një trashëgimi kulturore shumë e rëndësishme. Qëllimi i Ramës është shkatërrimi de facto i këtij parku. Nuk është çudi kur të shohim kulla aty, por Rama nuk do jetë në pushtet deri në atë kohë. Nuk do gëzoni pasuri duke e ndarë me Edi Ramën dhe njerëzit e tij. Ky është një zotim solemn. Këto akte kriminale nuk do mbeten pa përgjigje”, theksoi Berisha.
Berisha, u ndal edhe tek ngjarja e rëndë e Elbasanit, ku mbeti i vrarë shtetasi Pjerin Xhuvani.
“Është një nga ngjarjet më të shëmtuara që tregon moralin e vërtetë të Edi Ramës. Kryeministri nuk mund të mos ndalej në informacione të shumanshme. Mund të gënjejë policia, por nuk të gënjen Shërbimi Informativ. Por kryeministri donte votat me gjak. Nuk kishte rëndësi që u vra një njeri”, tha ai.
Berisha, komentoi edhe mundësinë e hapjes së negociatave me BE-në dhe ndikimin që do ketë një vendim i tillë te protesta.
Berisha tha se ky vendim nuk do e pengojë protestën, madje do e motivojë.
“Përkundrazi. Do ishte një frymëzim i madh për protestën. PD ka bërë thirrje dhe bën thirrje për hapjen e negociatave. Po pse? Sepse në procesin e negocimit, fuqia e BE-së do mund të ndihmojë shumë më fuqishëm në rrënimin e regjimeve autokratike. Sot ka një konsensus universal që regjimi i Tiranës është një autokraci elektorale. Prandaj kam bërë dhe do bëj thirrje që BE të hapë negociatat, edhe nëse Maqedonia dhe Bullgaria të mos bien dakord”, u shpreh Berisha.
“Nuk është produktive binjakëzimi. Nuk kam qenë dhe nuk jam as tani. Nuk arrij ta konceptoj. Vendet janë vende të pavarura dhe të veçanta. Le të urojmë se vendimi i Bullgarisë t’i japë përgjigjen më të mirë dhe të shpresojmë që edhe Maqedonia e Veriut të arsyetojë se zhbllokimi i procesit ka qenë një vullnet i mirë. Hapja e negociatave do e motivojë edhe më shumë protestën,” tha Berisha.
/r.e/






















