TIRANË, 17 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot bashkitë i kanë të gjitha mundësitë që të ndërtojnë dhe të krijojnë shumë më tepër shanse për njerëzit që kanë nevojë për strehim, por njëkohësisht edhe të fitojnë para për buxhetin e tyre.
Në konferencën mbi decentralizimin dhe performancën financiare të qeverisjes vendore, Rama u shpreh se “është e pamundur që ne akoma sot në nivel bashkiak, që nga Tirana që është kryesorja deri te bashkia më e fundit nuk kemi asnjë aktivitet ekonomik të pavarur që prodhon të ardhura, duke filluar nga ndërtimi”.
“Më thoni një kompani bashkiake që ndërton në funksion të strehimit në Shqipëri, por nuk ka. Kemi pasur një debat të gjerë dhe të thellë me drejtuesit e bashkisë së Tiranës për këtë. Nuk mundet dot qeveria të jetë përgjigjja për çdo kërkesë dhe çdo nevojë. Është e pamundur. Dhe nga ana tjetër nuk ka pse oportunitete që janë aty për t’u shfrytëzuar, të mos i shfrytëzojnë edhe sektori publik bashkiak, por të gjitha t’ia delegojnë kompanive private. Nuk ka arsye”, tha Kryeministri.
Rama kujtoi se “rolin e zhvilluesit e luajnë shumë investitorë që nuk kanë fare kompani ndërtimi dhe marrin kompanitë e ndërtimit dhe zhvillojnë pronat”.
“Pse mos ta bëjnë bashkitë këtë? Çfarë i pengon? Më thoni një gjë që i pengon, por nga ana tjetër me një gur vrasin dy zogj, krijojnë oportunitete të reja për të pastrehët e tyre dhe nuk rrinë të presin nga Enti i Banesave në Tiranë, por strehojnë të pastrehët. Bëjnë politikë strehimi të mirëfilltë dhe nga ana tjetër shesin për të mbledhur të ardhurat. Pse të mos bëhet kjo?”, shtoi Rama.
“Sa janë tregjet e prodhimit bujqësor me pjesëmarrje apo pronësi bashkiake? Sa janë pikat e grumbullimit të prodhimit dhe shpërndarjes me pjesëmarrje apo në pronësi bashkiake? Sa nga ju dhe cilët kanë shfrytëzuar fondin e garancisë sovrane për bujqësinë si koordinator katalizator për të adresuar nevoja të fermerëve në zonat tuaja pa pritur që të gjitha këto t’i zgjidhë investitori privat, që është i mirëseardhur, por nuk vjen atëherë kur duhet”, tha Rama.
/r.e/























