TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është shfaqur mbrëmjen e djeshme monodrama “Unë nuk jam hajdut”.
Kjo shfaqje erdhi për publikun kryeqytetas në kuadër të “Javës Kulturore të Izraelit”, si një shfaqje solo lëvizëse e frymëzuar nga libri i famshëm i Tami Shem-Tov, “Kur kishim krahë”.
Një performancë prekëse, befasuese dhe frymëzuese për një djalë të guximshëm që dëshmon se nuk është kurrë vonë për të bërë një ndryshim.
Romani “Kur kishim krahë” (ANI LO GANAV), i botuar në vitin 2012, u bë menjëherë bestseller për fëmijë dhe fitoi shumë çmime, duke përfshirë çmimin “Bialik”, çmimin “Leah Goldberg”, çmimin e Bibliotekave Publike dhe çmimin “Hans Christian Andersen” për fëmijë në letërsi.
Javët Ndërkombëtare të Kulturës, nismë e ndërmarrë nga qeveria shqiptare, do të krijojë çdo vit hapësira të reja njohjeje e komunikimi me vendet e me kulturat e tjera. E parashikuar në plan njëvjeçar, ky kalendar me aktivitete do të kthehet në traditë.
Javët Ndërkombëtare të Kulturës do të na njohin me kulturat e shumë shteteve deri në qershor. Kalendari ndërpritet për dy muaj dhe rifillon sërish në shtator.
/r.e/























