TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Ndryshe nga shumë panelistë në Konferencën e parë Kombëtare për Antikorrupsionin që vunë theksin te sistemet për të luftuar korrupsionin, Drejtori i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja deklaroi sot se të gjitha shërbimet nga sistemet do të ishin të pamundura nëse njeriu nuk do të ishte aty dhe i motivuar.
“Në rast se do të isha krenar sot është fakti se ne bëmë ç’është e mundur, i vumë një sfidë vetes që ne nuk do të bënim fshesa politike. Kërkuam që suksesin e reformave ta arrinim me njerëzit që gjetëm. Ishte e drejtë e tyre të kenë edhe një mundësi tjetër për të provuar që administrata nuk është njëlloj si ata që i ka sjellë aty”, deklaroi Gonxhja.
DPSHTRR, tha Gonxhja, është konsideruar nga një aleat i kësaj mazhorance si një hambar votash, ku patenta jepej si teser partie.
“Por kjo nuk do të thoshte që të hiqnim nga puna të afërm të kandidatëve për deputet të aleatëve apo kundërshtarëve”, shtoi Gonxhja.
Sipas tij, çështja ishte ti kthenim dinjitetin institucionit.
“Kjo gjë bëhet me rritje page. Kemi rritur me 16 % pagat në 2019 dhe me 12 % rritje pagash në 2021, sepse ne e pamë që është në nga motivatorët kryesore që të kenë respekt për vendin e tyre të punës”, deklaroi Gonxhja. /a.a/





















