Ballina Lajme nga Vendi

Kombëtarja/ Duka: T’i japim kohën e mjaftueshme trajnerit

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ – “Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin. Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne, duhet t’i japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër”.

Ky është mendimi i Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili ka reaguar pas dy ndeshjeve të para të ekipit kombëtar në Ligën e Kombeve.

“Sapo kemi nisur një turne të ri dhe kemi luajtur dy ndeshjet e para. Kemi marrë tri pikë dhe pësuam humbjen e parë të hënën në mbrëmje në Gllasgou. Një humbje nuk duhet trajtuar si një tragjedi. Kemi patur mundësitë tona por që nuk i shfrytëzuam, ashtu sikurse edhe defektet, që jam i bindur se trajneri i ka tashmë pikë referimi”, thekson Duka.

“Jemi në gjysmë të rrugës, me pikë të barabarta me rivalin. Na pret në tetor një transfertë e vështirë në Izrael. Të gjithë ne, duhet t’i japim kohën e mjaftueshme trajnerit për të bërë ndryshimet dhe reflektimet e duhura në skuadër”, vijon ai.

Sipas Presidentit të FSHF-së, “koha e llogoreve nuk vlen për askënd. Kritikat janë normale për një skuadër kur ajo humbet. Por kur këto bëhen për interesa jo sportive, nuk i shërbejnë askujt”.

“Unë mirëkuptoj çdo shqetësim të tifozëve tanë apo çdo artikulim mediatik por njëherësh i ftoj që këtë situatë jo të mirë ta shndërrojnë duke shpenzuar energji pozitive për kombëtaren tonë”, shprehet Duka.

Kombëtarja e Shqiptare e futbollit zhvilloi dy takimet e para në Ligën e Kombeve ku fitoi 1- ndaj Izraelit në “Elbasan Arena” dhe u mund 2-0 në Gllazgou ndaj Skocisë.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Merkel nuk përjashton pjesëmarrjen gjermane në sulmet në Siri
Artikulli tjetërAl Bano Carrisi konfirmon: Nuk këndoj më