TIRANË, 12 shtator /ATSH-Gjergji Mima/ – Dialogu Kosovë – Serbi është platforma e duhur për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi zhvilloi një takim sot me homologun kosovar Kadri Veseli, ndërsa në konferencën për shtyp pas takimit theksoi se kryefjala e bashkëbisedimit ishte tema e dialogut Kosovë-Serbi.
“Shqipëria ka qenë dhe është mbështetëse e dialogut Kosovë – Serbi, sigurisht të iniciuar dhe asistuar nga BE. Kjo është platforma e duhur për normalizimin e marrëdhënies mes të dy vendeve. Kjo do të sillte më tej pozicionimin e dy vendeve në organizatën e BE dhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare si OKB”, – tha Ruçi.
“Po ndjekim zhvillimet e fundit. Dialogu është mekanizmi më i efektshëm për një zgjidhje të qëndrueshme që do të garantojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe mbi të gjitha njohjen e ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë përmes një dokumenti ligjërisht të detyrueshëm, siç përcaktohet në strategjinë e BE. Ne inkurajojmë aktorët e përfshirë që kjo zgjidhje të jetë e drejtë, e pranueshme, afatgjatë dhe në interes të Kosovës dhe gjithë rajonit.” – tha Ruçi.
“Edhe diskutimet në këtë fazë finale duhet të rikonfirmojnë arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, që respekton tërësinë territoriale, karakterin multietnik dhe fetar, siç parashikohet në kushtetutën e Kosovës. Kjo është rruga e vetme për vendosjen e raporteve të reja mes Kosovës dhe Serbisë dhe stabilitetin në rajon”, – tha Ruçi.
“Mesazhi im është që në këtë situatë aktorët dhe faktorët politikë, të gjitha forcat politike të jenë unike. Duhet të ketë unitet qendrimi dhe veprimi, sepse ka shumë çështje që i ndajnë, por këtu bëhet fjalë për sovranitetin, shtetin, forcimin e shtetit dhe paqen jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin”, – u shpreh Ruçi. /j.p/


























