TIRANË, 16 maj/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare informoi sot se prodhimi ditor në HEC-et e kaskadës, llogaritet 6110 MWh, ndërsa rezerva energjetike është 981.5 GWh.
KESH bëri të ditur se niveli i liqenit në hidrocentralin e Fierzës ka shkuar në 286.38 m nga 261 që zbriti në mesin e muajit mars.
KESH ndaloi prodhimin në hidrocentralin e Fierzës për rreth një muaj, për të bërë të mundur rritjen e rezervës energjetike.
“Prurjet natyrore në kaskadë janë 370 m3/s. Niveli i liqenit të HEC-it të Fierzës është 286.38 m, ndërsa kuota maksimale është 296 m. Niveli i liqenit të HEC-it të Komanit është 172.59 m, ndërsa kuota maksimale është 175.5 m. Niveli i liqenit në HEC-in e Vaut të Dejës është 73.88 m, ndërsa kuota maksimale është 76 m”, bëri të ditur KESH.
Prurjet natyrore në HEC-in e Fierzës llogariten 230 m3/s, në HEC-in e Komanit 130 m3/s, ndërsa në atë të Vaut të Dejës, 10 m3/s. /j.p/












