TIRANË, 12 maj/ATSH/ Në bajpasin e Vlorës, një ndër veprat më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në jug të vendit, kanë përfunduar punimet në 25 kilometrat e parë të rrugës.
“Në bajpasin e Vlorës kanë përfunduar rreth 25 km. Po punohet me shtresat asfaltike në të gjithë gjatësinë e projektit me vendosjen e sinjalistikës dhe me formimin e trupit të rrugës në zonën e Kaninës”, bën të ditur Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë. Vepra është financim i BERZH, BEI dhe BE me vlerë rreth 37 milionë euro.
Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me impaktin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Ajo nis nga Rrethrotullimi, në fund të autostradës Levan-Vlorë.
Kilometri i 29 është kilometri i fundit ku dhe bëhet lidhja me rrugën e portit të jahteve deri në Dukat.
Në çdo 1.5 kilometër është parashikuar vendpushim për automjetet. Rruga në të 29 kilometrat ka 5 ura dhe 15 rrethrrotullime ose kryqëzime në formë T-je.
Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit evropian. /a.a/























