PRISHTINË, 9 shtator/ATSH/- Qytetarë të Drenicës mëngjesin e sotëm kanë bllokuar rrugën Mitrovicë-Skenderaj, në shenjë proteste kundër vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në fshatin Banjë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha për KosovaPress se “deri tani situata është e qetë dhe nuk është raportuar ndonjë incident”.
“Policia e Kosovës ka informacione për tubime të disa qytetarëve dhe bllokim të rrugës në rajonin e Drenicës, për të protestuar kundër vizitës së presidentit serb në këtë rajon.
Situata është e qetë dhe nuk është raportuar ndonjë incident”, theksoi Kelani.
Protestuesit kanë djegur goma të makinave dhe dru, si dhe kanë vendosur makineri të rënda për të bllokuar rrugën.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tërhoqi sot lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në zonën e Drenicës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndodhet që prej ditës së djeshme për një vizitë në veriun e Kosovës, ku qëndroi në Zubin Potok, Gazivodë, Leshak, Leposaviç e Zveçan./Kosovapress/k.s//e.caushi/











