Ballina Flash

Vlerësimi i potencialit ekonomik, OSBE mbështet 13 bashki

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Prezenca e OSBE-së bëri të ditur sot se, me kërkesën e qeverisë së Shqipërisë, po mbështet administratën vendore në 13 bashki anembanë vendit për identifikimin dhe inventarizimin e pasurive të tyre natyrore, vlerësimin e potencialit të tyre ekonomik, si dhe për hartimin e planeve të veprimit për shfrytëzimin e këtyre resurseve në të mirë të komunitetit, në kuadër të projektit të saj për Kapitalin Natyror të Bashkive (KNB).

Prezenca organizoi sot një seminar trajnimi me pjesëmarrjen e autoritetet vendore, në prani të kryetarëve dhe nënkryetarëve të bashkive, zyrtarëve bashkiakë, organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të institucioneve qendrore.

Me këtë rast, kryetarja në detyrë e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory, shpjegoi se mbështetja e OSBE-së ka të bëjë me balancimin e interesave ndërmjet pushtetit vendor dhe atij qendror, si dhe me shpërndarjen e drejtë të burimeve dhe qeverisjen e mirë në nivel vendor.

“Ky projekt është i lidhur ngushtë me vendimmarrjen, sepse nuk ka asnjë vlerë që organeve të qeverisjes vendore t’i kalohen kompetenca shtesë në rast se ato nuk përfitojnë edhe fondet që nevojiten për ushtrimin sa më efikas të këtyre kompetencave,” theksoi më tej ajo.

Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, e falënderoi Prezencën për përgjigjen e shpejtë ndaj kërkesës së Ministrisë për mbështetje dhe më pas shtoi se, “ne jemi pionierët e një nisme që do të modernizojë mënyrën se si ne e shohim, administrojmë dhe qeverisim territorin e vendit në nivel vendor”.

Adelina Farrici, kryetarja e Shoqatës për Autonomi Vendore, e falënderoi gjithashtu Prezencën në emër të të gjitha bashkive që janë pjesë e kësaj shoqate, ndërsa theksoi se nisma në fjalë është tej mase e rëndësishme për bashkitë e vendit, sepse do t’i krijojë atyre mundësi të mëdha për të gjeneruar më shumë të ardhura në të mirë të banorëve të tyre.

Majlinda Bufi, kryetarja e bashkisë së Roskovecit, tha se, projekti i Kapitalit Natyror të Bashkive (KNB) nuk ishte një proces thjesht teknik, pasi pritet që të luajë një rol thelbësor në suksesin e procesit të decentralizimit të qeverisjes vendore që filloi nëntë vite më parë.

“Ky është një element për të cilin duhet të punojmë fort që procesi në fjalë të jetë sa me i suksesshëm”, tha ajo.

Pas seminarit të sotëm, ekspertët e Prezencës do të bashkëpunojnë ngushtë me Ministrinë e Brendshme, Shoqatën për Autonomi Vendore dhe grupet e punës të krijuara në secilën prej bashkive për t’i ndihmuar për një proces sa më të suksesshëm të vlerësimit të Kapitalit Natyror të Bashkisë (KNB).

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla: SPAK të marrë në pyetje Berishën për dosjen CEZ
Artikulli tjetërCertifikimi “Global Gap”/ 17 fermerët kualifikohen si përfitues të Skemës Kombëtare