TIRANË, 20 prill/ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj tha sot se renditja e Shqipërisë në vendin e parë në rajon për qeverisjen digjitale, është avantazh i madh për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.
Në një reagim Karçanaj tha se “raporti i BERZH dokumenton punën e madhe të qeverisë me shërbimet publike online”.
“Jemi në vendin e 17-të në botë duke lënë pas gjithë rajonin, por edhe vende anëtare të BE. Kjo arritje i jep Shqipërisë avantazh të madh në zhvillimin e ekonomisë dhe imazhit të saj në tërheqjen e investitorëve të huaj”, tha Karçanaj.
Nga 51 shtete që merr në studim raporti, vendi ynë renditet i 17-i. Vlerësimi ka ardhur në raportin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për vitin 2021-2022.
Në krahasim me vitin 2015, Shqipëria ka rikuperuar 16 pozicione në e-qeverisje dhe lë pas gjithë Ballkanin Perëndimor bashkë me disa shtete të BE-së si Gjermania, Italia, Greqia, Hungaria etj.
Treguesi i e-qeverisjes për të cilin është vlerësuar Shqipëria përfshin informacionin online për ligjet, nismat apo shpenzimet publike, shërbimet elektronike të disponueshme për publikun, si dhe pjesëmarrja elektronike, konsultimet me palët e interesuara në lidhje me iniciativat apo projektet e reja.
/k.s/a.a/r.e/






















