Ballina Bota

POLONI – Duda: Rusia në luftë totale kundër Ukrainës

VARSHAVË, 14 prill /ATSH-PAP/ – Rusia po bën një luftë totale në Ukrainë duke luftuar jo vetëm kundër ushtrisë ukrainase, por edhe kundër grave dhe fëmijëve, deklaroi presidenti polak, Andrzej Duda, pas kthimit nga Kievi.

Duke folur në një stacion treni në qytetin polak të Przemyslit, pranë kufirit me Ukrainën, Duda tha se kishte parë “imazhe të papërshkrueshme në Ukrainë”.

”Nuk kam asnjë dyshim se ne duhet t’i ofrojmë Ukrainës dhe ukrainasve të gjithë mbështetjen e mundshme”, tha presidenti polak.

Presidentët e Polonisë, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë vizituan Kievin dhe zhvilluan bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në një demonstrim të mbështetjes për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus.

Presidentët udhëtuan gjithashtu në qytetet e çliruara pranë Kievit për të parë nga afër shkatërrimin e kryer në Ukrainë nga rusët.

Duda i përshkroi ato që pa si “krime lufte që duhet të sillen para gjykatave ku kriminelët të dënohen”.

”Dhe jo vetëm ata që kanë kryer vrasjet, por edhe ata që dhanë urdhrat”, shtoi Duda.

Duda tha gjithashtu se sanksionet kundër Rusisë nuk janë të mjaftueshme dhe se vendi duhet të përjashtohet nga forumet ndërkombëtare./  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTabaku për raportin e DASH: Krimi i organizuar mbetet një shqetësim në Shqipëri
Artikulli tjetërKompleksi i ri i DRSHTRR-së në Korçë, shërbime për mbi 62 mijë drejtues mjetesh