TIRANË, 9 prill/ATSH/ Partia Socialiste mbledh sot Kongresin në një format ndryshe, duke i lënë më tepër hapësirë grupeve të interesit.

Kongresi do të nisë punimet në orën 09:30 dhe në pjesën e parë do të jenë 5 panele, konkretisht: Rinia, Inovacioni, Fëmijët; Rajoni, Europa, Siguria; Bujqësia dhe Siguria Ushqimore; Energjia, Mobiliteti, Mjedisi; Shëndetësia dhe Mbrojtja Sociale.
Ndërkohë pjesa e dytë e punimeve do të nisë rreth orës 12:00, me fjalën e Sekretarit të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, mbi pjesën organizative dhe politike të PS-së.
Nga ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, në Kongres do të paraqiten edhe rezultatet e procesit të Këshillimit Kombëtar dhe objektivat.
Ditmir Bushati do të flasë mbi hapjen dhe fuqizimin e Partisë Socialiste, ndërsa kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla mbi përfaqësimin e qytetarëve dhe përgjegjësitë e mazhorancës.
Në vijim të këtij sesioni pritet fjala e Kryeministrit, njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.
Ndërkohë punimet e Kongresit do të vijojnë me prezantimin e paketës së ndryshimeve në Statutin e PS-së dhe prezantimin e platformës së re digjitale.












