TIRANË, 1 prill /ATSH/ Me rastin e 13-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në këtë Aleancë.
“Pavarësisht periudhave të caktuara, vokacioni i popullit shqiptar ka qenë ndër shekuj perëndimor. 13 vjet më parë ky vokacion u materializua me anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën më të madhe politiko-ushtarake që ka njohur bota”, u shpreh Peleshi në një mesazh.
“Që prej asaj dite, por edhe më herët, trupat shqiptare kanë shërbyer pothuajse në çdo mision të NATO-s”, tha Peleshi.
“Kontributi jonë, si një aleat i denjë i Aleancës do të shtohet çdo ditë e më tepër me qëndrimet dhe veprimet tona pro paqes dhe lirisë në botë. Gëzuar 13-vjetorin e Shqipërisë në NATO!”, theksoi Peleshi.
Më 1 prill 2009 Shqipëria u pranua zyrtarisht anëtare e NATO-s.
/r.e/























