Ballina Flash

Rritja ekonomike në Kosovë 10.5 %

PRISHTINË, 22 mars/ATSH/- Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti deklaroi sot se norma e rritjes ekonomike është 10.5 përqind, duke iu referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave.

Gjatë prezantimit të raportit të tranzicionit të BERZh-it për vitin 2021-2022, Mehmeti theksoi se sikurse për gjithë botën, edhe për Kosovën këto dy vitet e fundit ishin sfiduese si rrjedhojë e ndikimeve të pandemisë COVID-19 në ekonomi, por sipas tij, masat e kujdesshme të BQK-së dhe Qeverisë për rimëkëmbje kanë qenë efektive në rikuperimin e ekonomisë kosovare.

“Sektori bankar jo vetëm që ka tejkaluar lehtë krizën, por e ka marrë rolin kyç në mbështetjen e ekonomisë së vendit dhe për rritjen ekonomike një ndër faktorët kryesor, përpos të tjerave është edhe sektori bankar. Përkundër rreziqeve në pritje dhe të larta ka vazhduar të ndihmojë ekonominë e vendit… Ekonomia e Kosovës ka shënuar një rikuperim gjatë vitit 2021, dhe sipas vlerësimeve preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kjo rritje ekonomike është 10.5 përqind. Këtu një ndër kontribuuesit kryesorë është sektori bankar, po ashtu edhe lëvizja e lirë e qytetarëve, nga diaspora, por edhe duke mos i anashkaluar edhe aktivitetet të cilat janë ndërmarrë nga Qeveria”, theksoi ai.

Neil Taylor, udhëheqës i Zyrës së BERZh për Kosovën, theksoi se sistemi i digjitalizimit është gjithnjë në rritje, për këtë tha se nevojitet që Kosova të ketë më shumë investime në infrastrukturën e 4G.

Ai theksoi se sfida vjetore për Kosovën është ikja e trurit, ose braktisja e njerëzve profesionistë në fushën digjitale nga vendi. Ai përmendi se prioritete kyçe në periudhën e ardhshme duhet të jenë për krijimin e një sektori konkurrues në sektorin privat të digjitalizimit.

“Nevojiten më shumë investime në infrastrukturën 4G, më shumë trajnime në të gjitha aspektet… Në vendet e avancuara është niveli i investimeve që bëjnë trajnimin dhe afatësimin për ngritjen e shkathtësive digjitale të punonjësve të tyre, kjo është që Kosova duhet të merr parasysh. Me këtë vjen edhe sfida vjetore e Kosovës, e ballafaqimit me ikjen e trurit, pra të njerëzve me shkathtësi më të mira digjitale të cilët e braktisin vendin për të kërkuar mundësi punësimi në vendet e tjera. Prandaj, kjo duhet të ndryshojë, dhe të krijojë mundësi që talenti më i mirë të qëndrojë këtu në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa Ana Kresic, ekonomiste e lartë në BERZh, tha se regjioni perëndimor ende mbetet prapa vendeve të BE-së.

Ndonëse, sipas saj, në Kosovë ishte një rimëkëmbje e fuqishme ekonomike prej 10.5 përqind, teksa për vitin 2022 ajo thotë se projeksioni është pozitiv për Kosovën dhe rajonin.

Megjithatë Kresic ka vlerësuar se Kosova ka zhvillim ekonomik më të dobët në krahasim me rajonin. Prandaj, siç theksoi ajo është e nevojshme të jetë në fokus tranzicioni në ekonominë e gjelbër.

Kresic më tej ka thënë se për arsye të zhvillimeve në Evropën Lindore, agresionit rus në Ukrainë, janë disa rreziqe që duhet të menaxhohen me shumë kujdes, risku i parë sipas saj, është inflacioni jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonin.

BERZH-i vetëm vitin e kaluar ka investuar 15 milionë euro në Kosovë, ndërkaq, BQK-ja sipas guvernatorit Mehmeti, në vitin 2021 ka lëshuar 1.8 miliardë kredi të reja./KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJENEVË – OKB: Mbi 3.5 milionë ukrainas largohen nga lufta
Artikulli tjetërGjeçi: 340 mijë shpendë të ngordhur dhe 120 mijë të infektuar po eleminohen