Ballina Aktualitet

Alibeaj: PD e vendosur të shtyjë përpara procesin e integrimit

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Kreu i grupit parlamentar dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj takoi sot të Ngarkuarin e Posaçëm të Qeverisë Federale gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Alibeaj siguroi se “PD është e vendosur të shtyjë përpara procesin e integrimit”.

“I interesuar për çështjen e ecurisë së integrimit evropian të Shqipërisë e falënderova dhe e informova atë për qëndrimet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike në këtë proces. Vendosmëria dhe mbështetja e PD-së për të shtyrë përpara këtë proces në interes të shqiptarëve do të vazhdojë e palëkundur, pavarësisht mungesës së përpjekjeve nga qeveria”, tha Alibeaj.

Sipas tij, “shpërhapja sistemike e korrupsionit financiar qeveritar i kulmuar në skandalin e impianteve të mbetjeve, korrupsioni politik në shitblerjen e votës në zgjedhje, abuzimi qeveritar me të dhënat personale, shpronësimi dhe dhunimi i banesave të qytetarëve pa asnjë shpërblim, kanë nevojë për më shumë prova reale të një sistemi drejtësie që godet duke zbatuar ligjin njësoj për të gjithë”.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMargariti: Të angazhuar në luftën kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore
Artikulli tjetërKIEV -Zelensky i sigurt për fitoren gjatë vizitës tek të plagosurit e luftës