Ballina Ekonomi

Shërbimet rritën shitjet dhe pagat

TIRANË, 16 mars/ATSH/ Sektori i shërbimeve duket se ka rikuperuar dëmet e shkaktuara nga pandemia përgjatë 3-mujorit të katërt të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

INSTAT publikoi sot statistikat afatshkurtra për shërbimet për tremujorin e 4-t të vitit që lamë pas.

Sektori me përmirësimin më të lartë është turizmi, i cili zgjeroi ndjeshëm shitjet (2.7 herë), të punësuarit (45.6 %) dhe pagat (68.6 %).

Volumi i shitjeve në tregtinë me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave shënoi rritje me 13.9 % në tremujorin e katërt të vitit 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-ës.

Referuar të dhënave, përveç volumit të shitjeve, rritje shënuan edhe numri i të punësuarve si dhe pagat.

”Indeksi i numrit të të punësuarve në tregti, e cila përfshin tregti me shumicë, tregti me pakicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, shënoi rritje 0,8 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020. Indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 26,4 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020”, thuhet në raport.

Në aktivitetin e transportit, i cili përfshin transportin hekurudhor të mallrave, detar dhe ajror, magazinimin dhe aktivitetin postar, në tremujorin e katërt 2021, shitjet në volum shënuan rritje 31,7 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020. Ndërsa edhe numri i të punësuarve dhe fondi i pagave shënuan rritje respektivisht me 7,3 % dhe 21.1 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020.

Për të njëjtën periudhë, në aktivitetin e hoteleve shitjet në volum shënuan rritje me rreth 2,7 herë, numrit i të punësuarve shënoi rritje 45,6 %, ndërsa fondi i pagave shënoi rritje 68,6 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020.

Në aktivitetin e bareve dhe restoranteve, shitjet neto në volum shënuan rritje 23,7 %, numri i të punësuarve shënoi rritje 2,4 %, ndërsa fondi i pagave shënoi rritje 18,4 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020.

Sa i përket aktivitetit në fushën e informacionit dhe komunikacionit, INSTAT bën të ditur se volumi i shitjeve shënoi rritje 21,1 %, numri i të punësuarve shënoi rritje 26,2 % dhe fondit i pagave shënoi rritje 74,9 %.

Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 38,3 % në aktivitetet inxhinierike dhe arkitekturore, ndërsa numri i të punësuarve shënoi rritje 6,5 %. Fondi i shënoi rritje 35,6 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2020.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbështetja e qeverisë për biznesin e vogël, nga 5030 lekë që konsumon paguan 2 mijë lekë për faturën e energjisë
Artikulli tjetërDzyuba refuzon të luajë për kombëtaren pas luftës në Ukrainë