TIRANË, 15 mars/ATSH – I. Vata/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, lançuan sot nga burgu i Durrësit projektin e ri për punësimin e të të dënuarve në Institucionet e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale.
Manja thekson se program që implementohet për herë të parë me ligjin e ri do të punësohen 380 të dënuar në fazën e parë.
“Janë 380 të dënuar si fazë e parë që do të punësohen në IEVP e Republikës. Sot startojmë me Durrësin, ku kanë filluar punën 15 të dënuarit e parë. Është një program ambicioz, që implementohet për herë të parë me ligjin e ri për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve”, është shprehur Manja.
Ai ka shpjeguar se punësimi i personave që vuajnë dënimin në institucionet shqiptare, nuk do të jenë vetëm në administratën e burgjeve, por edhe në sektorin privat.
“Në burgun e Fierit po diskutohet të punësohen 200 të dënuar në sektorin privat, po ashtu edhe 70 të dënuar në IEVP e Reçit. Në total siç e thashë do të jenë 380 të punësuar në këtë fazë të parë. Në lidhje me punësimet në bashkëpunim me sektorin privat, jemi në bisedime me shumë kompani, kryesisht në fushën e fasonerive”, tha ministri Manja.
Ai shpjegoi edhe mënyrën e pagesës që do të kryhet sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ku të punësuarit në administratën e burgjeve dhe që paguhen me fondin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve do të kenë 25 % të pagës së funksionit që kryejnë, ndërkohë që të punësuarit në sektorin privat do të paguhen me pagën minimale.
Në kuadrin e vjetër ligjor, puna e të dënuarve shpërblehej me zbritje të ditëve të dënimit.
Në projektin e punësimit mund të përfshihen vetëm të dënuarit me vendim të formës së prerë.
/r.e/























