LONDËR, 4 mars /ATSH-ANSA-DPA/ – Kryeministri britanik, Boris Johnson foli në telefon gjatë natës duke u gdhirë e premtja me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërkohë që ky i fundit kishte deklaruar se centrali bërthamor i Zaporizhazhisë po goditej nga rusët.
”Veprimet e pamatura të presidentit Putin po kërcënojnë tani sigurinë e gjithë Evropës”, shkruan BBC duke cituar kryeministrin Johnson.
Dy liderët ranë dakord që Rusia duhet të ndalojë menjëherë sulmet në centralin bërthamor dhe të japë akses të pakushtëzuar në shërbimet emergjente të sistemit të prekur.
”Do të bëj gjithçka mundet për të siguruar që situata të mos degjenerojë më tej”, shtoi Johnson.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se forcat ruse në Ukrainë po synojnë kompleksin e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia në jug të vendit.
“Për momentin, tanket ruse po bombardojnë njësitë e reaktorit”, tha Zelensky në orët e para të së premtes në një video të postuar në kanalin e tij Telegram.
“Elektrocentrali më i madh bërthamor në Evropë është në zjarr”, tha Zelensky.
“Ka tanke të pajisura me kamera termike. Kjo do të thotë se ata e dinë se ku po gjuajnë, ata janë përgatitur për këtë”, theksoi ai.
Sidoqoftë, nuk ishte e mundur të verifikoheshin në mënyrë të pavarur deklaratat e tij.












