Ballina Flash

Qeveria e Kosovës miraton paketën e sanksioneve kundër Rusisë

PRISHTINË, 25 shkurt/ATSH/- Qeveria e Kosovës ka miratuar një pako me sanksione kundër Rusisë pasi kjo e fundit ka filluar pushtimin e shtetit të Ukrainës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ky reagim është mesazh i orientimit të qartë politik dhe diplomatik të Kosovës. Sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve bankare dhe të individëve, ndalimin e qasjes së tyre në tregje financiare dhe masa të tjera restriktive që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe aktorët politikë të përfshirë në pushtimin e Ukrainës.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është sulm edhe ndaj demokracisë dhe lirisë, gjithashtu vlerave universale të paqes dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje.

“Dëshmi që kjo Rusi që po e shohim sot nuk është një Rusi e re por edhe paralajmërim që ajo nuk synon të jetë e re, në fakt ajo dëshiron të jetë prap e vjetër madje të bëhet edhe më e vjetër se Bashkimi Sovjetik, pra të bëhet perandori ruse. Prandaj përgjigja e botës perëndimore dhe demokratike duhet të jetë e unifikuar dhe e vendosur, dhe e tillë ka qenë. Si pjesë e saj vendimi ynë i sotëm është bindje vlerore e jona, bashkërendim dhe bashkim me botën e lirë dhe paqedashëse dhe solidarizim me shtetin dhe popullin ukrainas. Reagimi jonë i menjëhershëm dhe i pa rezervë ndaj pushtimit të Ukrainës nga Rusia duhet të lexohet edhe si një mesazh i qartë i orientimit tonë politik dhe diplomatik”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është cenim i sigurisë së përbashkët ndërkombëtare, derisa ka shtuar që kjo është hera e dytë që Kosova i vë sanksione Rusisë për shkak të agresionit ndaj shtetit të Ukrainës.

“Kemi tregues edhe të orientimit të fqinjit tonë në veri të paralajmëruara më herët, përafërsisht në të njëjtën kohë kur Kosova ishte një nga 16 shtetet mikpritëse në mesin e 27 vendeve pjesëmarrëse të ushtrimeve ushtarake të NATO-s të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ‘Defender Europe 21’, Serbia dhe Rusia zhvillonin ushtrime të përbashkëta ushtarake të quajtura ‘Joint Response 21’. Pra kur Kosova dhe aleatët e saj stërviteshin se si të jenë mbrojtësit e Evropës, fqinji ynë verior dhe Rusia përgatiteshin për kundërpërgjigje të përbashkët dhe për atë që ata e quajnë mburojë sllave. Le të jetë ky një rikujtim për të gjithë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Ai ka deklaruar se Kosova po bashkëpunon ngushtë me NATO-n, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar për të kundërshtuar luftën e Rusisë por edhe për t’u përballur me ndikimin dhe pasojat e mundshme në rajon.

Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka bërë të ditur sanksionet e Kosovës ndaj Rusisë.

“Sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i qasjes së tyre në tregje financiare dhe masa të tjera restriktive që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politik të përfshirë në marrjen e vendimit për invazionin rus në Ukrainë. Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo transitit në vendet që i zbatojnë këto sanksione”, ka thënë ministrja e Jashtme.

Ajo ka thënë se miratimi i tyre është bërë në koordinim të plotë me aleatët derisa ka shtuar që sanksione janë vendosur edhe ndaj individëve nga Bjellorusia për rolin e tyre në lehtësimin e sulmit rus në Ukrainë.

“Zbatimin e të gjitha sanksioneve ekonomike dhe financiare të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani ndaj Rusisë por dhe ndaj disa individëve nga Bjellorusia për roli ne tyre në lehtësimin e sulmit rus nga Ukrainës. Pothuajse të gjitha sanksionet deri tani janë miratuar në një koordinim intensive dhe të plotë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë, në përpjekje për ta kundërshtuar fuqimisht luftën pushtuese të Rusisë në Ukrainë”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja e Jashtme ka deklaruar që masat janë ndërmarrë me qëllim të promovimit dhe mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Gjithashtu ka shtuar se një vendim i tillë do të kontribuonte në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera partnere në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta demokratike.

Pushtimi i Rusisë ndaj shtetit të Ukrainës ka filluar mëngjesin e 24 shkurtit ku sulmet ushtarake kanë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në mbi 20 qytete. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Inflacioni i çmimeve më i larti që nga 1974
Artikulli tjetërDaci dhe Dhomi, akademikë të jashtëm të ASHSH