MYNIH, 18 shkurt /ATSH-DPA/ – Qyteti gjerman i Mynihut do të jetë qendra e përpjekjeve të fuqive perëndimore për të koordinuar strategjinë e tyre lidhur me krizën e Ukrainës nga e premtja, ndërsa liderët botërorë pritet të mblidhen për Konferencën treditore të Sigurisë (MSC).
Përveç fjalimeve të zëvendëspresidentes amerikane, Kamala Harris, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe liderëve të tjerë, forumi i nivelit të lartë do të përfshijë gjithashtu një numër takimesh ku do të diskutohen tensionet në kufijtë e Ukrainës.
Harris, në një paraqitje të rrallë në një ngjarje të madhe ndërkombëtare do të takohet të premten me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg, si dhe do të zhvillojë bisedime me udhëheqësit e vendeve baltike, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Scholz gjatë vizitës së saj.
Ministrat e Jashtëm të grupit të vendeve të G7 do të takohen nesër, duke përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken. Gjermania aktualisht mban kryesimin e grupit.
Në konferencën e së shtunës do të marrë pjesë edhe kryeministri britanik Boris Johnson, të cilit i janë bashkuar ministrat e tij të Jashtëm dhe të Mbrojtjes.
Rusia nuk do të dërgojë asnjë delegat zyrtar në mbledhjen e Mynihut për herë të parë pas disa vitesh, për të cilën kryetari i konferencës, diplomati veteran Wolfgang Ischinger, tha se i vjen shumë keq.
Ischinger tha se mosprania do të thoshte se Rusia nuk do të ishte në gjendje t’i përgjigjej çështjes kryesore të konferencës: “Çfarë kërkon në të vërtetë pala ruse në mënyrë që të heqë dorë përfundimisht nga ky skenar kërcënimi përgjatë kufirit ukrainas dhe të kthehet në tryezën e negociatave diplomatike?”.
Grumbullimi i ushtrisë ruse në kufirin ukrainas dhe në Bjellorusinë fqinje, dhe kërkesat e Kremlinit që NATO të mos e përfshijë Ukrainën në aleancën e saj ushtarake, kanë çuar në një seri aktivitetesh diplomatike për të shmangur një konflikt të avancuar./ /a.i/























