TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Presidenti Ilir Meta ka uruar sot 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Meta shprehu mirënjohje për dëshmorët dhe luftëtarët e Pavarësisë së Kosovës.
“Gëzuar Kosovë e dashur”, shprehet Meta krahas fotos së presidentit Ibrahim Rugova dhe komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit. “Mirënjohje përjetë heronjve, dëshmorëve, luftëtarëve dhe etërve të Pavarësisë së Kosovës. Shqipëria dhe Kosova gjithmonë krah njëra-tjetrës”, theksoi Meta.
Presidenti Ilir Meta po ashtu i dërgoi një letër urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
“Kremtimi i 14-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, më jep kënaqësinë shumë të veçantë që t’Ju shpreh, në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, urimet më të përzemërta e vëllazërore. Ju uroj juve personalisht, autoriteteve shtetërore si dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”, shkroi Meta.
“Mirënjohje të gjithë vizionarëve dhe heronjve që luftuan, sakrifikuan dhe punuan për Kosovën e pavarur! Jam i lumtur të konstatoj se Kosova është kthyer në një kontribuese aktive të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë, sikundër jam i sigurtë se kjo ditë e shënuar do të frymëzojë më shumë përpjekje, më shumë unitet dhe më shumë devotshmëri për të vijuar në konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve shtetërore, për një Kosovë më të begatë dhe europiane”, u shpreh Meta.
“Arritjet e shtetit të Kosovës në drejtim të demokracisë, zgjedhjeve të lira, funksionimit të institucioneve të pavarura dhe mirëqeverisjes, janë mbresëlënëse dhe një shembull pozitiv për t’u ndjekur. Vullneti i përbashkët për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe evropiane, na angazhojnë të punojmë më shumë në të gjitha rrafshet”, tha Meta.
“Si President i Republikës së Shqipërisë do të vazhdoj të jem përkrahës i vendosur për thellimin e partneritetit tonë të shkëlqyer. Duke ju uruar edhe një herë sa më shumë përparim, suksese dhe integrim të plotë europian dhe euro-atlantik, lutem, pranoni e nderuara Presidente, sigurimet e konsideratës sime të lartë”, përfundoi mesazhin Presidenti Meta.
/r.e/





















