TIRANË, 13 janar/ATSH/ Policia e Shtetit bën të ditur se 4 persona ranë në pranga, ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim në kuadër të operacionit policor i koduar “Identiteti”.
”Pas një hetimi proaktiv 3-mujor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, nga ana e DVP Lezhë, mbështetur nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës Operacionale në DPPSH, DVP Tiranë dhe Elbasan, u organizua dhe u finalizua operacioni policor “Identiteti” në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve P. M., 61 vjeç, banues në Tiranë, H. H., 34 vjeç, banues në Tiranë, A. R., 27 vjeç, banues në Tiranë dhe E. M., 21 vjeç, banues në Korçë. Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim policor dhe punohet për kapjen e shtetasve: A. T., 52 vjeç, banues në Elbasan dhe I. M., 41 vjeç, banues në Tiranë”, bën të ditur Policia e Shtetit.
Gjatë operacionit është zbuluar një laborator që dyshohet se shërbente për prodhimin e dokumenteve të huaja të identifikimit, të dyshuara të falsifikuara, dhe një ambient ku ushtrohej aktivitetit i dyshuar i mashtrimit kompjuterik, ndaj shtetasve të huaj.
“Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga shtetasit e lartpërmendur, duke përfituar shumë të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro”, informoi Policia.
/r.e/





















