TIRANË, 13 janar /ATSH/ Partia Demokratike publikoi sot një video ku tregohet pjesëmarrja në protestën e së shtunës në selinë e PD të 5 shtetasve nga Kosova.
PD thekson se, “Berisha dhe banda e tij dështuan me turp sepse demokratët i braktisën”.
“Mbi rrënojat e dhunës së tij, PD po ngrihet çliruar nga mankthi dhe dhuna e së shkuarës, dhe e vendosur për tu ofruar gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë”, thekson PD.
“Për fat të mirë në 8 janar nuk u derdh gjak, ashtu siç dëshironte dhe kishte planifikuar Berisha me një grusht kriminelësh. Ai personalisht e ndolli dhe frymëzoi vetë dhunën për javë me radhë, që kur deklaroi se PD nuk meritonte të ekzistojë nëse nuk e mbronte atë pas shpalljes nongrata për korrupsion. Por Berisha dhe banda që ai mblodhi dhe përzgjodhi me kujdes, dështuan me turp sepse demokratët i braktisën”, shton PD.
“Ai nuk mban më dot peng as PD-në dhe as Shqipërinë. Mbi rrënojat e dhunës së tij, PD po ngrihet çliruar nga mankthi dhe dhuna e së shkuarës, dhe e vendosur për tu ofruar gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë”, thekson PD. /a.a/












