Politika dhe administrimi fiskal ndikim në rritjen e të ardhurave

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të fillojë një proces konsultimi për Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur një ditë më parë se procesi i konsultimit nis këtë muaj dhe se masat e marra janë konsultuar edhe me FMN.

“Janë një sërë masash të cilat janë konsultuar gjerësisht dhe gjatë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të cilat synojnë reduktimin dhe heqjen e përjashtimeve, të cilat nuk nxisin rritje ekonomike dhe nuk nxisin zhvillim. Në bazë të strategjisë Afatmesme të të Ardhurave që ne do të fillojmë të konsultojmë që këtë muaj dhe synojmë ta përmbyllim procesin e konsultimit brenda muajit qershor, që nga viti 2023 ne do të fillojmë të ndërmarrim ato masa që shumë shpejt do të prezantohen”, tha ajo.

Ibrahimaj bëri të ditur se rreth 30 % e masave të rekomanduara nga FMN kanë qenë pjesë e paketës fiskale, e cila fillon zbatimin që në korrik të këtij viti.

“Ne parashikojmë që për vitin 2022 të kemi një rritje të të ardhurave rreth 6 % në krahasim me vitin 2021, e cila është një shifër e kënaqshme duke marrë parasysh që viti 2021 ka një bazë shumë të mirë të ardhurash. Kjo rritje do të vijë pjesërisht nga politika fiskale dhe pjesërisht nga miradministrimi fiskal”, u shpreh ministrja.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.