LONDËR, 3 nëntor/ATSH/ – Selia historike e studios së arkitektes së njohur Zaha Hadid në Londër rihapet sot për publikun si një hapësirë kulturore, dhjetë vjet pas vdekjes së arkitektes britaniko-irakiane.
Ndërtesa në adresën 10 Bowling Green Lane, e cila për më shumë se 30 vjet shërbeu si studio e Hadidit, është restauruar dhe përshtatur për të pritur ekspozita, veprimtari publike dhe programe edukative, nën kujdesin e Fondacionit Zaha Hadid.
Fondacioni, i krijuar në vitin 2013 me nismën e vetë arkitektes, administron një arkiv me më shumë se 300 mijë materiale, përfshirë vizatime, piktura, modele, fletore, objekte dhe veshje, që dokumentojnë krijimtarinë e saj në arkitekturë, dizajn dhe fusha të tjera artistike.
Programi i inaugurimit përfshin ekspozitën “Zaha Hadid: Architecture of Performance”, e cila shqyrton marrëdhënien mes arkitekturës dhe arteve skenike përmes pesë projekteve të realizuara përgjatë 25 viteve. Krahas saj, prezantohet edhe “The Rebar Beneath”, një vepër e artistit LionHeart e frymëzuar nga arkivi i arkitektes.
Restaurimi ka ruajtur elemente origjinale të ndërtesës viktoriane, duke i ndërthurur me ndërhyrje të reja që i shërbejnë funksionit të saj publik.
Përmes kësaj hapësire, Fondacioni synon të ruajë trashëgiminë e Zaha Hadid dhe ta bëjë atë të aksesueshme për studiuesit, arkitektët, studentët dhe publikun e gjerë.























