Ballina Aktualitet

Vijon në ditën e 111-të protesta para Kryeministrisë

Protesta ne diten e 111, foto: Andrin Hoxha

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Qytetarë u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej”, në protestën e 111-të kundër investimit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit.

Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë, duke kundërshtuar projektin dhe duke parashtruar edhe kërkesa lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Edhe në protestën e sotme, një pjesë e mesazheve janë përcjellë përmes pankartave të mbajtura nga protestuesit. Në to kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe shprehet kundërshtimi ndaj qeverisë.

Në fjalën e mbajtur para Kryeministrisë, aktivisti Edison Lika, tha se reformat e ndërmarra nga PS kanë shërbyer vetëm për forcimin e pushtetit.

“Të gjitha reformat që ka bërë PS gjithë këto vite nuk kanë pasur në qendër qytetarin, por vetëm betonizimin e pushtetit. Ky regjim e ka betonizuar pushtetin me blerje votash, me vjedhje votash me korrupsion”, tha ai.

Pas fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë, qytetarët vijuan marshimin e përnatshëm përgjatë rrugëve kryesore të kryeqytetit.

/m.q/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakATHINË – Vdes Margarita Chant-Papandreu, një figurë e rëndësishme e lëvizjes feministe
Artikulli tjetërTeatri i Prizrenit sjell në Amfiteatrin Antik të Durrësit dramën “Pylli”