Ballina Flash

Aksioni i pastrimit në Shëngjin, Rama: Plazhet publike më të organizuara dhe mikpritëse

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Në plazhet e Shëngjinit vijon aksioni për pastrimin dhe sistemimin e plazheve, me qëllim krijimin e një mjedisi më të pastër dhe të sigurt për pushuesit vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për pastrimin e plazheve.

“Me punën e pandalur në plazhet publike të Shëngjinit, që çdo ditë bëhen më të pastra, më të organizuara dhe më mikpritëse për pushuesit”, shkruan Rama.

Aksioni përfshin pastrimin e vijës ranore, largimin e mbetjeve të grumbulluara dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe zonave të plazhit.

Strukturat e bashkisë dhe punonjësit e shërbimeve publike po vijojnë punën në terren për të garantuar standarde më të larta pastërtie në një nga zonat më të frekuentuara turistike të veriut të vendit.

Shëngjini, si një nga destinacionet kryesore bregdetare, pritet të presë edhe këtë verë mijëra pushues, ndërsa mirëmbajtja e hapësirave publike mbetet një nga prioritetet e bashkisë për garantimin e një oferte turistike cilësore.

/k.s/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHita pret drejtuesit e Policisë italiane, në fokus bashkëpunimi kundër trafiqeve dhe krimit
Artikulli tjetërAmnistia penale sot në Kuvend, Gogu: Lirohen direkt 466 të dënuar, nga të cilët 11 gra dhe 1 i mitur