LONDËR, 18 prill /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik, Keir Starmer zhvilloi sot një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump.
“Të dy udhëheqësit zhvilluan diskutime produktive për tregtinë midis dy vendeve”, tha një zëdhënës i zyrës së Starmer.
“Kryeministri britanik përsëriti angazhimin e tij për tregtinë e lirë dhe të hapur dhe rëndësinë e mbrojtjes së interesit kombëtar”, tha zëdhënësi.
Ata diskutuan gjithashtu situatën në Ukrainë, Iran dhe veprimet e fundit të ndërmarra kundër Houthis, në Jemen.
Kjo është hera e parë që Starmer dhe Trump zhvillojnë bisedime – që kur presidenti amerikan njoftoi një seri tarifash ndaj vendeve më 2 prill, në atë që ai e quajti “dita e çlirimit”.
Presidenti Trump vendosi një tarifë prej 10% për mallrat nga Britania e Madhe. Taksa prej 25% për importet e makinave të njoftuara më herët vlen edhe për BM.
Kancelarja Rachel Reeves ka planifikuar bisedime me Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme – mes përpjekjeve për të arritur një marrëveshje tregtare, për të cilën BM-ja shpreson se mund të ndihmojë në zbutjen e barrës së tarifave.
Megjithatë, Trump tha dje se nuk ishte me “ngut” për të arritur një marrëveshje për shkak të të ardhurave që po gjenerojnë tarifat e tij të reja.
Trump tha se shumë vende donin të arrinin marrëveshje dhe se çdo marrëveshje do të vinte në një pikë të caktuar.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se ai do te vizitonte mbretin Charles III në BM, në shtator. //a.i/























