Ballina Bota

PARIS – Kanadaja dhe BE-ja zotohen të përgjigjen me vendosmëri ndaj tarifave të çelikut të Trump

PARIS, 11 shkurt /ATSH-AFP/- Kanadaja dhe BE-ja u zotuan sot se do të qëndrojnë të vendosura kundër propozimit të presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa për importet e çelikut dhe aluminit – duke e nxitur Uashingtonin drejt një lufte tregtare me partnerët kryesorë globalë.

Trump nënshkroi urdhrat ekzekutivë për të vendosur tarifa prej 25% për importet e çelikut dhe aluminit nga 12 marsi – duke shkaktuar një stuhi reagimesh dhe premtimesh për të mbrojtur punonjësit.

“Tarifa të tilla do të ishin krejtësisht të pajustifikuara dhe kanadezët do të rezistojnë fuqishëm nëse është e nevojshme”, tha kryeministri Justin Trudeau në Samitin e IA-së në Paris.

“Përgjigja jonë sigurisht që do të jetë e fuqishme dhe e qartë”, tha Trudeau.

Bashkimi Evropian u zotua se do të hakmerret me kundërmasa të ashpra dhe proporcionale.

Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen do të takohet sot në Paris me zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance – ku pritet të diskutojnë urdhrat e Trump.

“BE do të veprojë për të mbrojtur interesat e saj ekonomike. Ne do të mbrojmë punonjësit, bizneset dhe konsumatorët tanë,” tha Von der Leyen në një deklaratë.

“Ministrat e Tregtisë së BE-së do të diskutojnë nesër hapat e ardhshëm të bllokut 27-vendesh gjatë një takimi online”, thanë zyrtarët. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakArrestimi i Veliajt, Rama: Nga një novelë anonime dorëzuar shkurtin e kaluar në SPAK, pollën roman 400 faqesh
Artikulli tjetërVrasja e Martin Canit, Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim 14-vjeçarin