TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj në një postim në rrjetet sociale, duke reaguar në lidhje me arrestimin e kreut të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, tha se mbështet pa kushte Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por, shton ai “dikush që i ka ndryshuar fytyrën vendit për mirë, nuk mund të trajtohet si kriminel që do ndaluar”.
“Me Erionin! Dikush që i ka ndryshuar fytyrën vendit për mirë, nuk mund të trajtohet si kriminel që do ndaluar. Ky është mendimi im e jeni të mirëpritur për ta sulmuar, por unë e ti, e ju e dimë, sa ka ndryshuar ky vend me Erionin. Dhe kjo nuk mund të mohohet! Të tjerat duhen provuar, këtë e kemi para syve përditë”, shkruan ai në rrjetet sociale.
“Sulmet e këtyre ditëve janë shembulli që reforma në drejtësi po jep efektin e saj në çdo nivel, dhe me të jemi të gjithë. Nuk do kishte çuna me shkollë si unë në politikë pa këto. Por, drejtësi e procedurë dhe hapa institucionale për të arritur në një përfundim ligjor.
Ndalimi i dikujt, pavarësisht përkatësisë politike, nuk është kjo. Ndaj sot, duhet të pyesim nëse këtë reformë që e deshëm kaq shumë, e duam për statistika e show, apo për të bëre punën e vet, që presupozon që çdo institucion të luajë rolin e vet, jo vetëm SPAK-u.
Mbështes e mbështesim pa kushte Prokurorinë e Posaçme, por po ashtu edhe Gjykatën për vendimet që merr. Dikush që i ka ndryshuar fytyrën vendit për mirë, nuk mund të trajtohet si kriminel që do ndaluar.
Ky është mendimi im e jeni të mirëpritur për ta sulmuar, por unë e ti, e ju e dimë, sa ka ndryshuar ky vend me Erionin. Dhe kjo nuk mund të mohohet! Të tjerat duhen provuar, këtë e kemi para syve përditë”, shkruan Xhafaj.
/a.f/r.e/






















