Ballina Aktualitet

Tabaku: Qeveria, 400 milionë euro për projekte me karakter elektoral

TIRANË, 24 janar /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë për përdorim të fondeve publike në shërbim të fushatës elektorale.

Në një video të publikuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku tha se qeveria po përgatitet për të paguar 400 milionë euro për projekte me karakter elektoral, në ditët e fundit të janarit.

“400 milionë euro bëhen gati për ditët e fundit të janarit,” deklaroi Tabaku.

“Paguajnë për projekte që nuk i kanë realizuar fare, që as kanë për të përfunduar ndonjëherë, por i duhen si karamele elektorale për t’i inauguruar në ditët e para të fushatës”, tha Tabaku.

Sipas deputetes së PD-së, kjo strategji e qeverisë është e mirënjohur. Tabaku gjithashtu kritikoi qeverinë për mospërmbushjen e projekteve gjatë 11 muajve të vitit dhe për vonesat e qëllimshme, të cilat shfrytëzohen më pas për të justifikuar pagesa masive në prag të zgjedhjeve.

“Ato pak projekte që kanë përfunduar janë realizuar vetëm përmes kontratave të debatueshme PPP, ndërsa buxheti i shtetit përdoret në funksion të interesave elektorale”, tha Tabaku.

Deputetja e PD-së e mbyll mesazhin e saj duke ftuar qytetarët të reagojnë ndaj praktikave të tilla, të cilat, sipas saj, dëmtojnë transparencën dhe demokracinë.

“Këto 400 milionë euro janë shembulli më i mirë i keqmenaxhimit dhe arrogancës së kësaj qeverie, që vepron gjithnjë në dëm të qytetarëve dhe në favor të pushtetit të saj,” përfundoi Tabaku.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Antikorrupsioni”, plan veprimi me 175 masa, 30 përmirësime ligjore dhe 4 ligje të reje
Artikulli tjetërKoçiu: Çdo vit dy bursa 1-vjeçare për mjekët e shërbimit të Onkologjisë