TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Aktori i mirënjohur gjirokastrit, Nikolla Llambro është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”. Titulli i akorduar nga Këshilli Bashkiak iu dorëzua përgjatë një aktiviteti artistik i cili në mënyrë simbolike titullohej “Një jetë në dy kohë”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet socia shkruan se është shumë e lumtur që aktorin “Nikolla Llambro, atdhetarin e vyer, njeriun vital e plot humor, mikun e të gjithëve, e kemi tashmë edhe qytetar nderi të Gjirokastrës”.
“Bashkë me Çeçon që e vendosëm në shesh, kemi në piedestalin e vlerave gjirokastrite edhe Zeman Mashkullorën – personazhin e filmit “Liri a Vdekje” – përmes një nderimi të veçantë në të cilin skalisim gjithë mirënjohjen tonë dhe urimet për një jetë të gjatë e plot suksese”, shkruan Kumbaro.
Llambro është mjaft i njohur për artdashësit e qytetit të gurtë dhe më gjerë me interpretimin e rolit të patriotit Zeman Mashkullora në filmin “Liri a vdekje”, në filmin ”Koncert në vitin 1936″, “Njeriu me Top”, etj.
/a.f/






























