MAGDEBURG, 20 dhjetor /ATSH-DPA/ – Të paktën një person u vra dhe më shumë se 50 të tjerë u plagosën pasi një makinë u përplas në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman të Magdeburgut, tha kryebashkiaku i qytetit.
”Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit”, thanë burime të pushtetit vendor për DPA.
Gjithashtu nuk ishte e qartë menjëherë nëse incidenti ishte i qëllimshëm apo i paqëllimshëm.
Tregu i Krishtlindjeve, i vendosur pranë bashkisë, është i mbushur me ambulanca dhe mjekë ndihmës, siç tregonin videot e postuara në rrjetet sociale.
Autoritetet gjermane po trajtojnë një incident në të cilin një makinë përplasi një grup njerëzish në një treg Krishtlindjesh në qytetin e Magdeburgut si një sulm të dyshuar.
Matthias Schuppe, zëdhënësi i qeverisë së shtetit Saksoni-Anhalt, tha se ishte “ndoshta një sulm”.
Zëdhënësi i qytetit Michael Reif gjithashtu e përshkroi atë si një “sulm në tregun e Krishtlindjeve”.
Magdeburgu është një qytet me rreth 237 000 banorë dhe ndodhet rreth 150 kilometra në perëndim të Berlinit./ a.jor.























