Ballina Aktualitet

Basha: Siguria e Kosovës, pjesë e pandarë e sigurisë sonë kombëtare

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha kritikoi sot shumicën parlamentare për bllokimin e propozimit të tij për ndihmë financiare prej 50 milionë eurosh për mbrojtjen e Kosovës.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, Basha u shpreh se vizitat dhe deklaratat mediatike nuk mjaftojnë, ndërsa bëri thirrje për veprime konkrete për të mbështetur Kosovën.

“Siguria e Kosovës është pjesë e pandarë e sigurisë sonë kombëtare. Shqipëria ka detyrimin të ndihmojë Kosovën në këto momente të rrezikshme, kur rreziqet gjeostrategjike po përshkallëzohen nga Beogradi dhe Moska”, tha Basha.

Basha theksoi se, “vizita në Kosovë nga qeveria dhe shumica parlamentare është vetëm një fasadë kur në të njëjtën kohë ata bllokojnë propozimin tim për ndihmë financiare prej 50 milionë eurosh për mbrojtjen e Kosovës”.

“Siguria e Kosovës është pjesë e pandarë e sigurisë sonë kombëtare. Shqipëria ka jo vetëm mundësinë, por edhe detyrimin të ndihmojë Kosovën në këto momente të rrezikshme, kur Beogradi dhe Moska përshkallëzojnë rreziqet gjeostrategjike”, nënvizoi Basha.

“Fjalët e mëdha dhe shfaqjet mediatike nuk i shërbejnë Kosovës. Ajo që i duhet është mbështetja jonë me veprime konkrete – si propozimi për financimin e sigurisë së saj. Le të tregojmë me vepra se siguria dhe e ardhmja e Kosovës janë prioriteti ynë kombëtar”, u shpreh më tej Basha. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFRANCË – Ish-bashkëshorti dënohet me 20 vjet burg pas akuzave për përdhunim masiv të Gisele Pelicot
Artikulli tjetërTransferta bankare me vlerë 11 milionë euro përmes kompanive fiktive, arrestohen 2 shtetas