TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Trajnimi i stafit dhe investimi në emergjencat civile mbetet në fokusin e Forcave të Armatosura.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se, 15 efektivë të kompanisë së dytë operacionale, për më shumë se katër javë, zhvilluan një kurs ku përvetësuan njohuri teorike dhe realizuan veprime praktike për t’iu përgjigjur sa më profesionalisht situatave në raste tërmetesh, shembje objektesh dhe aksidenteve të ndryshme, në kuadër të kursit funksional të “Kërkim-shpëtimit në zonat urbane”.
Njohja dhe përdorimi i pajisjeve speciale, zbatimi i procedurave për kërkimin e personave të mbetur nën rrënoja dhe metodat e tërheqjes së të dëmtuarve ishin temat kryesore të trajtuara gjatë këtij kursi.
Ministria theksoi se, ndër vite, strukturat e Komandës Mbështetëse kanë zhvilluar kapacitetet e duhura për realizimin e kurseve funksionale, të cilat kanë për qëllim aftësimin e personelit ushtarak në kryerjen e detyrave funksionale në përgjigje të emergjencave civile. /j.p/























