Ballina Aktualitet

Transferohet në regjimin e posaçëm i dënuari Klement Çala

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Në zbatim të urdhrit të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, i burgosuri Klement Çala është transferuar në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë.

Në një deklaratë për shtyp Drejtoria e Burgjeve thekon se “masa është marrë pas një vlerësimi të hollësishëm nga autoritetet përgjegjëse, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë të të dënuarit”.

Klement Çala është dënuar me disa vendime gjyqësore të formës së prerë për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë: “Vjedhje me armë”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve dhe municioneve”; “Grup i strukturuar kriminal”; “Falsifikim i dokumenteve”; “Vrasje në rrethana të tjera të cilësuara”, ndaj punonjësve të policisë e mbetur në tentativë”, e kryer në bashkëpunim; “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”; “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Për këto vepra penale, i burgosuri është dënuar me 20, 25 dhe 5 vite burgim, sipas vendimeve të Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar dhe Gjykatave të tjera përkatëse.

/k.s/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAmbasada gjermane: Internet falas në hapësirat publike të vendit
Artikulli tjetërSPAK – Prokuroria Speciale e Malit të Zi, bashkë kundër krimit të organizuar e kibernetik