TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Në zbatim të urdhrit të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, i burgosuri Klement Çala është transferuar në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë.
Në një deklaratë për shtyp Drejtoria e Burgjeve thekon se “masa është marrë pas një vlerësimi të hollësishëm nga autoritetet përgjegjëse, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë të të dënuarit”.
Klement Çala është dënuar me disa vendime gjyqësore të formës së prerë për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë: “Vjedhje me armë”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve dhe municioneve”; “Grup i strukturuar kriminal”; “Falsifikim i dokumenteve”; “Vrasje në rrethana të tjera të cilësuara”, ndaj punonjësve të policisë e mbetur në tentativë”, e kryer në bashkëpunim; “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”; “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Për këto vepra penale, i burgosuri është dënuar me 20, 25 dhe 5 vite burgim, sipas vendimeve të Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar dhe Gjykatave të tjera përkatëse.
/k.s/a.f/r.e/
