Ballina Aktualitet

Apeli liron nga sekuestroja vilën në pronësi të nënës së Monika Kryemadhit

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur sot që të lirojë nga masa e sekuestros, vilën në pronësi të Fatime Kryemadhit, mamasë së Monika Kryemadhit, duke rrëzuar masën e dhënë nga Gjykata e Posaçme.

Vila tjetër e sekuestruar, në pronësi të Monika Kryemadhi që ndodhet te Kodra e Diellit në kryeqytet, sipas Apelit do të vijojë të qëndrojë nën sekuestro.

Shpallja e vendimit u dëgjua në sallën e gjyqit nga vetë deputetja Kryemadhi, e cila në dalje tha se kjo ishte një hakmarrje ndaj saj për shkak të inceneratorit të Tiranës dhe, nga ana tjetër, këmbënguli se pasuritë e saj ishin të justifikuara me burime të ligjshme.

Bllokimi i pasurive të zonjës Kryemadhi apo dhe familjarëve të saj u kërkua nga SPAK për llogari të hetimit të nisur ndaj saj dhe ish-presidentit Ilir Meta, të cilët akuzohen për tri vepra penale: Korrupsion, pastrim parash dhe fshehje e mosdeklarim të pasurisë.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama takim me Rutte: Mbështetës i paepur i Shqipërisë
Artikulli tjetërFOKUS – UNHCR: Sirianët në mërgim të mos pranojnë presionin për t’u kthyer në shtëpi