Ballina Flash

Kosova renditet e treta në rajon, pas Shqipërisë e Serbisë, për nivelin e transparencës buxhetore

PRISHTINË, 14 dhjetor /ATSH/ Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Hapur (OBS) tregojnë se Kosova ka shënuar rezultat total prej 50 pikëve nga 100 në Indeksin e Transparencës së Buxhetit.

Në këtë aspekt, Kosova renditet e treta ndër shtetet e Ballkanit Perëndimor për nivelin e transparencës buxhetore. Kështu thuhet në raportin e rezultateve “Anketa e Buxhetit të Hapur 2023 për Kosovën” të publikuar nga Instituti GAP.

Sipas raportit Shqipëria tregon performancë më të mirë, kryesisht në përmbajtjen gjithëpërfshirëse të disa dokumenteve.

Rrona Zhuri nga ky institut tha se Kosova ka më shumë hapësirë për përmirësim në përfshirjen e hartimit të buxhetit dhe ekzekutimit, duke shtuar se duhet të ofrohen mundësi për më shumë komente.

Ajo tha se në këtë anketë, Kosova renditet e treta pas Shqipërisë dhe Serbisë.

Në prezantimin e kësaj ankete, drejtori i zyrës së Rritjes Ekonomike në USAID Kosovë, Alexander Albertine, ka theksuar nevojën e përmirësimit të nivelit të transparencës buxhetore.

Në anën tjetër, drejtori i departamentit të Buxhetit në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Salvador Elmazi ka thënë se do të mundohen të jenë sa më afër realizimit të këtyre objektivave për transparencë buxhetore.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBritaniku që zgjodhi të jetojë në Shqipëri: Shoh kaq shumë mundësi që duhen shfrytëzuar
Artikulli tjetërRusia bllokon aksesin në aplikacionin ”Viber”