Ballina Aktualitet

Investimet strategjike, Tabaku: Ligj i abuzimeve dhe favorizimeve klienteliste

TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kundërshtuar zgjatjen e afatit të ligjit të investimeve strategjike nga mazhoranca socialiste.

Përmes një postimi sot në rrjetet sociale, ajo e cilësoi këtë një mjet të përdorur për favorizimin e oligarkëve dhe klientelës së lidhur me qeverinë.

“Ky ligj, që u miratua si një masë e përkohshme në vitin 2015, ka degraduar në një mekanizëm abuziv që shërben vetëm për të shpërblyer një grusht njerëzish pranë mazhorancës. Ndërsa shqiptarët përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, qeveria shpërndan pasuritë publike me qira simbolike prej 1 euro për klientët e saj,” theksoi Tabaku.

Ligji i investimeve strategjike ka shkaktuar debate dhe kritika të shumta për mënyrën e zbatimit dhe për rrethin e përfituesve.

Sipas saj, qeveria duhet të ndalojë menjëherë këtë praktikë abuzive dhe të fokusohet në krijimin e një klime të drejtë për investime të ndershme dhe përfitime për qytetarët shqiptarë, jo për një grup të vogël të privilegjuarish.

“Ligji i investimeve strategjike, që pritet të shtyhet sërish nga mazhoranca, është kthyer në simbolin e abuzimit me pasuritë publike dhe mungesës së transparencës nga qeveria Rama”, tha Tabaku. Ajo bën thirrje për ndalimin e këtij mekanizmi të dëmshëm, duke kërkuar llogaridhënie dhe drejtësi për pasuritë e shqiptarëve.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGonxhja: Mbi 455 mijë vizitorë në muzetë kombëtarë deri në nëntor
Artikulli tjetërAbone urbani falas nga 1 janari për pensionistët e Tiranës, ja si do të funksionojë