Ballina Ekonomi

Gonxhja: Shqipëria po kthehet në qendër tërheqëse për investitorët e huaj

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj mirëpritën një grup investitorësh të rëndësishëm nga Turqia, në një takim që vuri theksin tek mundësitë e jashtëzakonshme që vendi ynë ofron për bashkëpunim dhe zhvillim.

Gonxhja theksoi se, Shqipëria po shndërrohet në një qendër tërheqëse për investitorët e huaj falë klimës së favorshme ekonomike, politikave lehtësuese fiskale dhe pozicionit të saj strategjik në rajon.

Turizmi mbetet një shtyllë kryesore, duke ofruar hapësira të mëdha për zhvillimin e resorteve moderne, ekoturizmit dhe atraksioneve kulturore, ndërsa potenciali i sipërmarrjeve dhe inovacionit premton krijimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe të orientuar drejt teknologjisë, nënvizoi Gonxhja.

Ministri u shpreh se, gjatë takimit u riafirmua mbështetja për investitorët me partneritete strategjike, duke treguar se Shqipëria është vendi i duhur për ata që kërkojnë të investojnë në sektorë me rritje të shpejtë dhe potencial të madh.

/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Tiranë-Peshkopi në 1 orë”, Rama: Vijon kantieri i rrugës Peshkopi-Maqellarë
Artikulli tjetërJORDANI – Diplomatët ndërkombëtarë diskutojnë të ardhmen e Sirisë