Ballina Aktualitet

Açka reagon ndaj Berishës: E turpëruar nga videoja e tij për Dumanin, del kundër mbi 75% e shqiptarëve

TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Deputetja e opozitës, Flutura Açka reagoi sot ndaj video-montazhit të publikuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, që sulmon kreun e SPAK, Altin Dumani.

“Videoja që më bën me turp. Si demokrate e thjeshtë, si përfaqësuese e demokratëve në Parlamentin shqiptar, kjo video e hedhur nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, më turpëron.
Ndaj si demokrate distancohem publikisht prej saj dhe pres edhe të tjerë demokratë të bëjnë të njëjtën gjë. Në nuk mund ta ruajmë pyllin e demokracisë duke shembur drurët që e mbajnë”, tha Açka.

Açka tha se me këtë video, Berisha del kundër mbi 75% e shqiptarëve që besojnë se SPAK po i ndihmon sadopak të ndreqin demokracinë e dëmtuar nga fragmente të këqija të politikës shqiptare,

“Nuk e kam parë kurrë si fajtor Berishën, sa kohë nuk ka vendime të formës së prerë, dhe me bindjen se çdo politikan duhet të jetë transparent me shqiptarët dhe i hapur me drejtësinë, kam besuar tek e vërteta, që në fund e ka fjalën e fundit, dhe të drejtë.
Por, me këtë video, Berisha del kundër mbi 75% e shqiptarëve që besojnë se SPAK po i ndihmon sadopak të ndreqin demokracinë e dëmtuar nga fragmente të këqija të politikës shqiptare, e cila ka detyrë të bëjë mirë të gjitha detyrat”, u shpreh ajo.

Açka theksoi se “ajo që e shqetëson më shumë në këtë video, nuk është përçudnimi i Altin Dumanit, as kreditimi i Edi Ramës si fitimtar i përhershëm”.

“A mundet në një demokraci të shëndetshme që një pushtet (politika) të marrë guximin të përtallë një pushtet tjetër (drejtësia) kur të dy kanë përgjegjësi të lartë kombëtare? A është kjo pjesë e alibisë që po ndërton retorika foltoriste, se Rama është i pathyeshëm dhe se do të mbetet në pushtet ngaqë do ta blejë votën (ngaqë nuk do të mundim, a nuk kemi interes ta mbrojmë ne? A është kjo mënyra për të fituar besimin e mbi 75 % të shqiptarëve që besojnë te Altin Dumani (me deklarata se “do t’ia presim kokën” kur të jemi ne zot) për të ardhur në pushtet? A mos po ndërton kjo formë qesharake alibinë é nevojshme për Edi Ramën që t’i përgjigjet mërzitisë së PD-së me Altin Dumanin duke shpejtuar ndryshimet goditëse ndaj SPAK-ut me të famshmin Komision Parlamentar Antikorrupsion? A është dhënia e krediteve të tilla të pseudofuqisë Edi Ramës një shlyerje borxhi të kleringjeve politike që qarkullojnë lirshëm e tingëllojnë tashmë normale në politikën shqiptare?”, pyet Açka, ndërsa distancohet publikisht nga kjo video.

/m.m/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMJEKËSI – Ilaçet kundër obezitetit rezultojnë efektive edhe ndaj fertilitetit mashkullor
Artikulli tjetërKosovë – Prindërit në hall me sfidat e Tiktokut, “Kjo është për t’u frikësuar”