TIRANË 13 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se platforma “Transparent Albania” është një portë unike për akses të shpejtë dhe të lehtë në informacion, që vendos transparencën buxhetore si prioritet.
I pranishëm në prezantimin e kësaj platforme, Rama u shpreh se ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën drejt “Shqipërisë 2030”.
“Faktikisht një hap që lidhet me angazhimet e marra nga Shqipëria në kuadrin e Planit të ri të Rritjes së BE-së”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se “nuk bëhet fjalë për një faqe të re, ose një faqe më shumë në internet për informimin publik, por bëhet fjalë për një instrument të ri, një platformë të re dhe një urë të re lidhëse mes qeverisë dhe qytetarëve”.
“Kjo do të garantojë një shpejtësi shumë më të madhe dhe një gjerësi shumë më të madhe në marrëdhënien e qytetarit me informacionin nga aktiviteti i përditshëm i qeverisë. Është një platformë e cila pa diskutim shkon në përputhje me ambicien tonë për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë europian në aspektin e standardeve”, shtoi Rama.
Falë kësaj platforme, Rama tha se të gjithë mund të ndjekin në kohë reale shpenzimet e qeverisë shqiptare.
“Kjo do të thotë të dinë në kohë reale sesa të ardhura shpenzohen dhe për çfarë shpenzohen. Besoj që është një platformë, e cila do të rrisë edhe shkallën e përgjegjësisë së vetë institucioneve qendrore dhe të gjithë sistemit të pushtetit ekzekutiv sepse përballja dhe ekspozimi do të jetë shumë i lartë, që do të thotë që edhe nevoja për të performuar në kohë reale shumë më mirë do të jetë e vetvetishme për të gjithë institucionet”, tha Rama.
Një tjetër risi e kësaj platforme, sipas kryeministrit, është përditësimi i saj në kohë reale.
“Tjetra që është një risi shumë e rëndësishme e platformës është interaktiviteti i saj që do të thotë që, nëse sot apo deri sot, një qytetar apo një përfaqësues i medias i drejtohet një institucioni të caktuar dhe nuk merr përgjigje në kohë, pastaj i drejtohet Komisionerit, Komisioneri i drejtohet institucionit. Në 70% të rasteve, përgjigja jepet në sekondë që do të thotë që bëhet fjalë për vonesa tërësisht të palidhura me asnjë qëllim, por thjesht të lidhura me atë që thashë pak më parë, me nënvlerësimin apo me mungesën e këtij zakoni të administratës që të përgjigjet në kohë reale, që të përgjigjet në afat. Ndërkohë që 30% i mos përgjigjeve të tjera është pak më kompleks”, tha Rama.
Me platformën, kryeministri theksoi se çdonjëri që i drejtohet cilido institucion me një kërkesë për të marrë një informacion do të mund të ndjekë vetë në kohë reale statusin e kërkesës.
“Nga ana tjetër, platforma ka një mekanizëm që sinjalizon institucionin se kjo kërkesë është duke shkuar drejt djegies së afatit dhe kështu vendos përpara përgjegjësisë këdo në atë institucion që është zyra apo institucioni që duhet të përgjigjet. Por nga ana tjetër, i jep institucionit dhe lidershipit në institucion, sekretarit të përgjithshëm, zyrës së sekretarit të përgjithshëm apo zyrës së ministrit apo zyrës së drejtuesit të cilitdo institucion pasqyrën e performancës në raport me këtë detyrim parësor dhe elementar të ekzekutivit ndaj qytetarit”, tha Rama.
/a.f/r.e/























