TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj është renditur në listën e 100 drejtuesve më të mirë publikë në mbarë botën për inovacionin dhe implementimin e inteligjencës artificiale në digjitalizim.
Vlerësimi vjen nga “Apolitical” rrjeti global i nëpunësve publikë, që ka si mision ndërtimin e qeverive të shekullit të 21-të, qeveri që punojnë për njerëzit dhe planetin. Karçanaj u rendit krah kolegëve të Estonisë, vend lider global në digjitalizim, Kanadasë, Shteteve të Bashkuara, Francës, Suedisë e shumë vendeve të tjera të zhvilluara.
Sipas rrjetit “Apolitical”, Karçanaj është duke avancuar adoptimin e Inteligjencës Artificiale për të përmirësuar shërbimet publike dhe për të përshpejtuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sukses mbetet edhe Asistenti Virtual i “e-Albania”, i cili përpunon dhe i përgjigjet natyralisht përdoruesve për pyetjet më të shpeshta. Vetëm gjatë këtij viti, nëpërmjet tij janë trajtuar mbi 1 milion kërkesa, duke ndihmuar qytetarët dhe përmirësuar shërbimet publike. Së shpejti Asistenti Virtual, do të komunikojë me përdoruesit edhe me figurë, edhe me zë në gjuhën shqipe, si dhe do të ofrojë marrjen e shërbimeve proaktive. /j.p/























