TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Prezenca e OSBE-së dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizuan sot një tryezë teknike për përmirësimin e fshehtësisë së votimit dhe parandalimin e presionit ndaj zgjedhësve.
Takimi u fokusua te ruajtja e një prej parimeve më të rëndësishme të zgjedhjeve siç është e drejta për të votuar të lirë dhe në mënyrë të fshehtë.
Në të morën pjesë institucione shtetërore, parti politike, agjenci ligjzbatuese, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë ndërkombëtarë.
Pjesëmarrësit analizuan disa nga sfidat e vazhdueshme të identifikuara në raportet e fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet. Në zgjedhjet e ardhshme, këto çështje do të kërkojnë vëmendje akoma më të madhe, për shkak të kompleksitetit që sjellin teknologjitë e reja dhe votimi nga jashtë vendit, veçanërisht për grupet vulnerabël si të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe ata me vështirësi në të shkruar e të lexuar.
Ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Michel Tarran deklaroi sot se liria e zgjedhjes pa frikë nga qytetarët është thelbësore për integritetin e zgjedhjeve dhe ligjshmërinë e institucioneve që dalin prej tyre.
Në konferencën e organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe OSBE mbi parandalimin e presionit ndaj votuesve në zgjedhje, Tarran e vuri theksin edhe tek fshehtësia e votës.
“Fshehtësia e votimit, ky parim përbën një nga angazhimet kyçe të shteteve pjesëmarrëse të OSBE sipas dokumentit të Kopenhagen. Nga rëndësia që çdo qytetar të shprehë lirisht zgjedhjen e tij pa frikë nga shtrëngimi apo hakmarrja, mbetet thelbësor për integritetin e zgjedhjeve dhe ligjshmërinë e institucioneve që dalin prej tyre”, tha ai.
“Fshehtësia e votimit, konsiderohet një nga aspektet e rëndësishme të lirisë së zgjedhësve, se siguron mbrojtjen e tyre nga presionet që mund të përballen nëse të tjerët mësojnë si kanë votuar”, u shpreh Tarran.
Ai theksoi se, fshehtësia duhet zbatuar për gjithë procedurën, kryesisht për hedhjen dhe numërimin e votave.
“Trajtimi i mënyrave për eliminimin e kontrollit të votuesve. Presioni i dekurajon zgjedhësit të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirisht dhe pa frikë”, deklaroi më tej ambasadori në fjalën e tij.
Gjithashtu, Tarran u ndal edhe te disa prej rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Ai theksoi se, procesi demokratik minohet për shkak të krijimit të një mjedisi aspak miqësor për votuesit.
“Përvojat e fundit dhe raportet e OSBE/ODIHR kanë treguar se ruajtja e fshehtësisë së votimit në Shqipëri has sfida. Raportet vënë në dukje se proceset ndikohen negativisht nga problemet teknike dhe procedurale për votimet në grup, tensionet, presionet ndaj zgjedhësve brenda dhe jashtë QV”, theksoi Tarran.
Tarran, tha gjithashtu se, “Çelësi i suksesit është te bashkëpunimi mes të gjitha palëve, qeveritarë dhe jo-qeveritarë. Institucionet e qeverisjes vendore, organet e zbatimit të ligjit dhe partitë politike luajnë rol kritik në garantimin e zbatimit të rregullave për zgjedhjet. Autoritetet vendore duhet të sigurojnë që qendrat e votimit të përcaktohen duke i dhënë përparësi qasjes dhe sigurisë. Roli i Policisë së Shtetit mbetet thelbësor në ruajtjen e rendit, parandalimin e presionit dhe trajtimin në kohë të çdo shkeljeje të mundshme gjatë procesit zgjedhor. Ndërkohë, partitë politike duhet të veprojnë me përgjegjësi në ndërveprimet e tyre me zgjedhësit dhe të trajnojnë komisionerët dhe zyrtarët partiakë për të shkurajuar veprimet që mund të cenojnë integritetin e votës. Gjithashtu, duhet mbështetur shoqëria civile në kryerjen e detyrës së saj në edukimin e zgjedhësve rreth të drejtës së tyre për të votuar në fshehtësi, duke theksuar edhe përgjegjësinë e këtyre të fundit për të respektuar fshehtësinë e votimit për ta dhe të tjerët”.
Kjo ishte tryezë e katërt dhe e fundit teknike që Prezenca e OSBE-së dhe KQZ-ja organizuan këtë vit.
Tryezat e tjera u fokusuan tek edukimi i zgjedhësve, shitblerja e votës dhe roli i medias në procesin zgjedhor.
Gjetjet dhe rekomandimet e të gjitha tryezave do të mbështesin KQZ-në dhe institucionet e tjera në rritjen e integritetit të zgjedhjeve dhe të besimit të publikut në procesin zgjedhor, përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025-s.
/r.e/























